Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka kundërshtuar reagimin e Federatës Ruse për vendimin e Qeverisë së vendit rreth masave graduale të reciporocitetit me Serbinë, përcjell InLajmi.
Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet.
Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore.
Masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës.
Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës.
Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve.
Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës./InLajmi/