Ish anëtari i Lëvizjës Vetëvendosje Dardan Molliqaj, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish kolegut të tij, Albin Kurtin, shkruan InLajmi.

Paralajmërimet tona dalin të sakta jo sepse kemi pasur dëshirë që të jenë të tilla, por sepse Kurti, me diskursin e tij populist, nuk çon në rezultate më ndryshe se këto që po i shohim.

Populistët kanë disa karakteristika të përbashkëta. Ndër tjera, kapjen e shtetit e performojnë në skenë të hapur, sepse e legjitimojnë veten si përfaqësuesit e vetëm të popullit e normalisht, sipas tyre, populli po e merr në dorë shtetin e jo partia. Është për shkak të kësaj që nuk do të shohim nga populistët kapjen klasike të shtetit me kushërinj e miq por me militantë e të besuar të partisë. Kapja e shtetit, pra, për populistin, shërben për të vendosur partinë, e në këtë rast veten, mbi shtetin, gjithmonë nën ombrellën e përfaqësimit të vetëm të legjitimuar të popullit.
Kjo mendësi është e rrezikshme. Rrezikshmëria e saj po dëshmohet çdo ditë. Shkelja e Kushtetutës dhe kapja e bordeve janë vetëm fillimi. Demokracia duhet të mbrohet me çdo kusht, kundër populizmit e kundër kapjes së shtetit e shndërrimit të tij në parti-shtet./InLajmi/




















