Me 22 shtator, të dielën, në Prishtinë do të ndalohet qarkullimi i veturave në disa rrugë prej orës 11:00 deri në 20:00.
Arsyeja e ndalimit të qarkullimit të makinave është se do të përmbyllet Java Evropiane e Mobilitetit. Kjo iniciativë europiane inkurajon qytetet që të prezantojnë dhe të promovojnë masa të qëndrueshme të transportit dhe t’i ftojnë njerëzit të provojnë alternativa tjera të lëvizjes kundrejt përdorimit të automjeteve. Ndryshe iniciativa zhvillohet çdo vit nga data 16 deri 22 Shtator.
Java ka kulmuar me Ditën pa Automjete, ku qytetet pjesëmarrëse krijuan një ose disa zona vetëm për këmbësorë, çiklistë dhe transport publik, për një ditë të tërë.
E gjithë kjo kishte një temë: “Ec me ne”.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se rrugët që do të mbyllen për qarkullim të veturave janë: Rruga ‘Agim Ramadani’, Rruga ‘UÇK’, Rruga ‘Luan Haradinaj’, Rruga ‘Garibaldi’, Rruga ‘Xhorxh Bush’, Rruga ‘Eqrem Çabej’. /InLajmi/