Po argëtohen në parkun pranë vendbanimit kolektiv, pa e ditur për rrezikun që u kanoset.
Por, asnjë nga fëmijët në lagjen ‘Fusha e Pajtimit’ nuk kanë masa mbrojtëse ndaj virusit Covid-19.
E njëjta si duket vlen edhe për të rriturit.
As këta të fundit kur u duhet të dalin të blejnë gjësende apo edhe të hedhin mbeturinat, nuk shihet se përdorin masa mbrojtëse.
Hapësirat e përbashkëta të banesave sociale në këtë lagje janë dezinfektuar nga Komuna e Prishtinës.
Madje në hyrjet e ndërtesave, ishin vendosur dezinfektues, që çdo banorë të pastrojë duart derisa hynë në ndërtesë.
Por të njëjtit janë shpenzuar tash e sa ditë, ndërsa në disa hyrje sipas banorëve sapo ishin vendosur, dikush i ka larguar.
Sidoqoftë banorët e kësaj lagjeje po frikësohen se nuk do mund e përballojnë këtë situatë muajt në vazhdim, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike që kanë.
Të njëjtit thonë se tregtarët kanë rritur çmimet, madje edhe për produktet elementare.
Ekrem Vitia, veteran i luftës, thotë se për dallim nga rastet sociale, ky i fundit nuk ka marrë ndonjë ndihmë.
Edhe ai po, ankohet për mungesë të miellit dhe çmimet e larta.
Ndërkohë, drejtori i dikasterit për mirëqenie Sociale në komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, ka thënë për T7 se ditën e hënë do u dërgojnë nga një pako higjienike familjeve në këto banesa, ndërsa gjatë javës do u nisin pako ushqimore.
Gjithashtu të njëjtit, thonë se i kanë orientuar banorët e kësaj lagjeje që të drejtohen tek vendi ku shërben shujtat për familjet në nevojë, kur përballen me mungesë ushqimi.