Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se nga java tjetër komuna do të fillojë me shpërndarjen e pakove sociale për familjet në nevojë.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka thënë në këtë kohë kur një armik i padukshëm, na ka mbyllur në shtëpi, ju lutem të mendoni për të afërmin e për fqinjin tuaj, shkruan InLajmi.
Tutje Tahiri tha se po bëjnë e do të bëjnë çdo gjë që pasojat të jenë sa më të vogla për familjet e për ekonominë e qytetit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Në këtë kohë kur një armik i padukshëm, na ka mbyllur në shtëpi, ju lutem të mendoni për të afërmin e për fqinjin tuaj.
Ti e din më së miri si jeton fqinji yt, nëse ai/ajo ka nevojë për ndihma ushqimore, të tregojmë dhembshuri e solidaritet.
Nga java tjetër do të fillojmë me shpërndarjen e pakove sociale nga Komuna për familjet në nevojë, por resurset i kemi të limituara. Ne po bëjmë e do të bëjmë çdo gjë që pasojat të jenë sa më të vogla për familjet e për ekonominë e qytetit tonë.
Jetojmë kohra të vështira, e të panjohura më parë, por unë e di që solidariteti ynë dhe fuqia jonë si popull do të na udhëheq drejt fitores ndaj këtij virusi./InLajmi/