Këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit, Arbër Zaimi ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti po bëhet vetëm që të mundësohet marrëveshja Thaçi-Vuçiq.
Përmes rrjetit social facebook, Zaimi ka folur edhe për vendimin e kryeministrit Kurti, lidhur me taksën, shkruan InLajmi.
Ka thënë se Kurti nisi procesin që largon barrierat tarifore me Serbinë në datën 1 prill, duke plotësuar kështu kërkesat e SHBA, dhe duke hapur rrugë për dialogun.
Ai ka thënë se Kurti është në pritje të një emri nga LDK-ja për Ministrinë e Brendshme.
Postimi i plotë:
Kryeministri Kurti dhe kabineti i ministrave nga LV, LDK dhe minoritetet po vazhdojnë punën me administrimin e krizës shëndetësore, në një mënyrë shembullore krahasuar me shumë vende më të zhvilluara. Por duhet më shumë vetëdije për të kufizuar virusin, më pak lëvizje jashtë shtëpisë, ruajtje e distancave dhe higjienës.
Përveç kësaj, kryeministri Kurti nisi procesin që largon barrierat tarifore me Serbinë në datën 1 prill, duke plotësuar kështu kërkesat e ShBA, dhe duke hapur rrugë për dialogun.
Po ashtu, qeveria Kurti po vendos marrëdhënie reciprociteti me Serbinë, siç e kërkon interesi i Kosovës si shtet sovran. Reciprocitet do të thotë se Kosova nuk do të vendosë asnjë barrierë të re, arbitrarisht, por do të zbatojë të njëjtat masa që i zbaton Serbia.
Kryeministri Kurti pret që LDK të dërgojë një emër për Ministrinë e Brendshme.
Kështu pra, mos mendoni se po bëhet mocioni për të administruar gjendjen me virusin, as për taksën, as për Amerikën, as për ruajtjen më mirë të Kosovës, as për mungesën e përfshirjes apo respektit për LDK-në. As për mustaqet e dikujt. Mocioni po bëhet vetëm që të mundësohet marrëveshja Thaçi-Vuçiq, siç e kanë vënë re tashmë shumë politikanë e profesorë evropianë e amerikanë.
Por qeveria do të vazhdojë punën, me kujdes, pa PANik dhe pa Hashim. /InLajmi/