Kështu u shpreh kryeministri Kurti me rastin e përurimit të Qendrës me një Ndalesë, “One Stop Shop” i cili u realizua nga ana e Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Administratës Publike, që tashmë është e integruar në Ministrinë e Brendshme, raporton InLajmi.
Para një numri të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, zyrtarëve komunalë dhe qytetarëve të Prizrenit, kryetari i Komunës Mytaher Haskuka, së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ministren Administrimit të Pushtetit Lokal Emilija Redzepi dhe drejtorin e Administratës Osman Hajdari, dje përuruan projektin e Qendrës me një Ndalesë, (“One Stop Shop”).
Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Kurti, u shpreh se komuna është e përbashkëta jonë dhe se Prizreni tashmë është duke u bërë shembull në gjithë vendin, për ofrimin e shërbimeve të shumta në të njëjtën hapësirë, duke ia kursyer qytetarit kohën dhe paratë.
Ndërkaq në një fjalë rasti, kryetari i komunës Mytaher Haskuka pasi i falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij Projekti, shtoi se me 56 sportele në katin e parë të Administratës Komunale, do të ofrohen shërbime të shumta për qytetarë, me standarde të larta, dhe në një ambient modern e të digjitalizuar. Ai theksoi se për reformimin e shërbimeve të administratës publike, së bashku me Bankën Botërore dhe IFC-në, është bërë analizimi i 190 shërbimeve publike të ofruara në Komunën e Prizrenit, me ç’rast afro 60% të tyre janë thjeshtësuar.
Shërbime efikase, të shpejta dhe kualitative
Duke i përshëndetur të pranishmit drejtori i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, tha se me implementinim e këtij Projekti, në Qendrën e shërbimeve “Me një ndalesë” (One Stop Shop), pos shërbimeve efikase, të shpejta e kualitative, qytetarët do të kursejnë 154,139 Euro në vit nga aspekti material dhe kohor, ndërsa bizneset rreth 610,847 Euro në vit, që në total kursimet vjetore për qytetarë dhe biznese do të jetë mbi 765 mijë euro, shkruan Osman Goranci. /InLajmi/