I dërguari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka demantuar deklaratën e zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thuhej se ai është marrë vesh në një bisedë telefonike me Grenellin që ndihma nga SHBA’ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.
“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, kishte shkruar Erzen Vraniqi, këshilltar i Kurtit.
Ndërsa Grenell është përgjigjur lidhur me këtë çështje, transmeton IndeksOnline.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA’ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell në Twitter.