Ditën e djeshme jo vetëm Fieri, por e gjithë Shqipëria e kishte vëmendjen tek gjimnazi “Janaq Kilica”, pasi 60 persona, 58 nxënës dhe dy mësues u helmuan dhe nuk dihej çfarë kishte ndodhur.
Më pas u bë e ditur se në ambientet e brendshme të shkollës ishte hedhur sprajt me lëndë gazi.
Policia ka bërë me dije se për këtë incident janë proceduar penalisht dy 15 vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë Fier, zbardhën ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku si pasojë e përdorimit të një sprajti me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës, disa nxënës shfaqën shqetësime me frymëmarrjen dhe pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë.
Në përfundim të veprimeve hetimore rezultoi se sprajti ishte përdorur nga 2 nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A. M., 15 vjeç dhe A. H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, shkruan TCH
Ndërkohë në hyrje të gjimnazit ditën e sotme kanë shkuar dy ambulanca, ku paraprakisht bëhet me dije se një nxënësje i ka rënë të fikët, ndërsa në hyrje të tij është bërë një kaos i vërtetë.