Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i djeshëm i kryeministrit Albin Kurti, për heqjen gjysmake të tarifës, siç tha ai është pa kushte, e e pakundërvlerë për Kosovën. Heqja e tarifës, sipas Haradinajt, është gabim dhe rrezikon Kosovën.
“Kurti dje e ka copëtuar vendimin. Më 15 mars e heq tarifën për lëndën e parë e më 1 prill krejt. Copëtimi është bërë me mashtru Kosovën, duke e shoqëruar me disa kurthe retorike gjoja të kushtëzimeve që i ofron Kurti. Psh, absurdi i parë është heqja e tarifës për lëndën e parë, dhe i del 2 javë me vlerësua se Serbia është konstruktive. Çfarë treguesi kohor janë dy javë, kur ne Serbinë e njohim qe sa vjet”, tha Haradinaj në një konferencë për media.
Sipas tij, heqja e tërësishme e tarifës më 1 prill, sipas paralajmërimit të Kurtit, shfrytëzohet me pritje që Serbia të jetë konstruktive.
“Heqja e tarifës para zgjedhjeve në Serbi, është vetëm konstruktivitet i Kurtit për presidentin Vuçiq t’i fitojë zgjedhjet në Serbi. Shihet që ka një marrëveshje mes tyre, kuptohet çmimi është vota e listës serbe për qeverinë Kurti”, tha ai.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, heqja e tarifës është gabim.
Haradinaj, në këtë konferencë për media, tha se Kurti “s’mund t’i nxjerrë para një kushtëzimi vendet e BE-së për liberalizim”, sepse kështu, veç humb liberalizimi.
“Kjo logjikë e Kurtit e ka një problem. Grenelli, nuk i thotë faleminderit por kërkon më shumë. Kurti nuk e la asnjë mik afër vetes. Nuk i lajmëron partnerët qeverisës por thërret konferencë për këso lajme. Merr peng prapa tij gjashtë sipërmarrës. Nuk ka me falënderu askush z.Kurti. U dorëzua shumë shpejt para Serbisë”, u shpreh Haradinaj.
AAK-ja, sipas tij, do të mobilizohet dhe siç tha ai, “do ta pengojë mashtruesin Kurti, tash kryeministër, për këtë drejtim të rrezikshëm për vendin”, shkruan Koha.net.
“Do të thërrasim edhe mobilizim të qytetarëve”, u shpreh Haradinaj.