Vetëm në një repart të Klinkës Infektive në QKUK ka rreth 120 shtretër dhe aktualisht 11 dhoma me 22 shtretër janë vënë në dispozicion të pacientëve që u nënshtrohen ekzaminimeve nën dyshimin se janë prekur nga koronavirusi.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar për asnjë rast me koronavirus në Kosovë, infektologu, Valbon Krasniqi ka thënë se në Klinikën Infektive është izoluar një repart ku shtrihen vetëm personat që u nënshtrohen analizave për koronavirus, derisa të dalë rezultati i tyre.
“Kemi caktuar repartin ku do të shtrihen këta persona derisa të dalin rezultatet, pastaj dhomën e trizhimit ku do të kenë kontakt për herë të parë me personelin dhe jo të kalojnë nga dhomat apo korridoret ku ekzaminohen e tjerë. Ne kemi izoluar një repart të caktuar, një repart të tërë për këta pacientë dhe këta nuk kanë kontakt me të sëmurët e tjerë, po ashtu e kanë dhomën e trizhit, portën hyrëse e kanë të veçantë, pajisjet që përdorën janë të veçanta, gjithçka është në kuadër të masave që rekomandohen për t’i izoluar këta pacientë deri në momentin kur konfirmohet nëse janë të prekur nga koronavirusi”, thotë ai.
Ai thotë se planifikimet i kanë bërë me kohë pranë organeve përgjegjëse lidhur me pajisjen me masa mbrojtëse, në rast se paraqitet fluks i madh i pacientëve.
Krasniqi thotë se nuk ka vend për panik, derisa shton se kanë përvoja në menaxhimin e situatave të tilla duke kujtuar kohën kur ishte përhapur gripi i derrit dhe ethet hemorragjike, shkruan Gazeta Metro.
Ai thotë se është e rëndësishme që të gjithë personat që kanë simptoma të gripit dhe të cilët eventualisht kanë histori të udhëtimit në vendet ku është konfirmuar prezenca e koronavirusit, të paraqitën në klinikë.