Kryeministri Albin Kurti, nesër do të takohem me komandantin e KFOR-it, pasi ka njoftuar kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani për marrëveshjen sekrete të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, presidentit aktual.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet e mundshme kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill të vitit 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në letrën e Kurtit drejtuar Osmanit thuhet se “përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”.

Kurti ka deklaruar se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit “ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e Sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i Presidentit]”.