Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në Bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Me këtë rast ai ka thënë se para 13 viteve protestuan paqësisht por në ketë vend nuk u priten paqësisht.
“Protestuam kundër diskriminimit në paketën e Ahtisarit e cila u publikua më 2 shkurt të vitit 2007. Aty 37 herë përmendej emri serb ndërkaq fjala shqiptar 1 herë. Ajo paketë vendosi pengesa të mëdha që i kemi edhe sot e kësaj dite. Shumicën e dyfishtë, dominimim ndërkombëtar për mbi institucionet vendore, shuarjen e TMK-së, decentralizimin etnik e borxhin e jashtëm të Serbisë që na përshkruhej edhe neve”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se kjo ishte ndër demonstratat më të mëdha pas luftës, përcjell lajmi.net.
“Kjo protestë ishte ndër demonstratat më të mëdha të pasluftës dhe në ballë të saj qëndronte Adem Demaçi. 232 plumba gome u gjuajtën mbi trupat tanë ku u vranë aktivistët Xheladini dhe Balaj. Ku do të ishin ata sot po të mos kishte ndodhur ajo padrejtësi?. Do të ishin aktivistë të ndershëm dhe jo përfitues. Ata ishin të gatshëm të jepnin gjithçka. Ne nuk do të ishim këtu po të mos ishin ata për ta ndriçuar rrugën”, tha tutje Kurti.