Top Channel duke iu referuar burimeve diplomatike të OSBE në Vjenë, thotë se kjo vizitë është parashikuar për datën 26 Shkurt.
Mbetet e paqartë për momentin se kush do të jenë bashkëbiseduesit e tij në Moskë, ku në fokus të bisedimeve do të jetë kriza Rusi-Ukrainë.
Në fjalimin e tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE, kryeministri e listoi Ukrainën si një prej prioriteteve të presidencës shqiptare të OSBE.
I fundit kryeministër shqiptar që ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Moskë duke u takuar me kryeministrin e kohës Çernomerdin, ishte Aleksandër Meksi gati një çerek shekulli më parë.
Vetë Meksi pati deklaruar më vonë se “pritja atje qe e madhe”.
“Nga delegacioni shqiptar kishte pak njerëz. Sa fillova të flisja rusisht ata u habitën dhe më duartrokitën. Kryeministri rus Çernomerdin mu afrua dhe ne bëmë një bisedë të lirë. Më tej ai më tha se mund ti shiste Shqipërisë avionë luftarakë MIG me çmim të lirë. Unë i ktheva përgjigjen: Mirë, por na gjeni armikun fillimisht”, ka treguar ish-kryeministri Meksi.
Kjo vizitë e kryeministrit Edi Rama në Kremlin, zhvillohet në një kohë kur mardhëniet Shqipëri-Rusi janë në kuotat minimale, shkruan Insajderi.
Në mars të vitit 2018 Shqipëria iu bashkua vendeve europiane duke dëbuar dy diplomatë rus nga Tirana një veprim i koordinuar edhe me NATO-n.