Që nga dje vendi ynë po karakterizohet me mot me shi, stuhi e borë.
Ndërsa si pasojë e këtij moti, në disa zona janë rrëzuar pemë, shtylla elektrike ku qytetarë të shumtë po vazhdojnë të mbesin pa energji elektrike, por ka pasur edhe shembje gurësh.
Këtë e ka konfirmuar Daut Hoxha, Zëdhënës i Policisë së Kosovës, i cili ka dhënë detaje se ku saktësisht ka ndodhur ky incident.
“Sipas informacioneve fillestare të pranuara nga zyrtarët tanë në teren, sonte rreth orës 17:30 në autostradë, afër kilometrit 5/6, në drejtim të Vërmicës, është raportuar se; si pasoj e shembjes së gurëve, tri automjete janë dëmtuar, përderisa nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, ka thënë .
Ai tutje ka treguar se Njësia për Menaxhim dhe Kontroll të Autostradave ka dalë në lokacion dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë edhe informimin e autoriteteve kompetente lidhur me gjendjen e rrugës/autostradës, shkruan IndeksOnline.
Kujtojmë që në vendin tonë, po mbretëron mot i lig me të reshura të borës, derisa ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku përmes një njoftimi të bërë sot ka thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe se kompanitë përgjegjëse qysh nga mbrëmë po kryejnë punën e tyre.