Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nisur të rinovohet në kohën kur fillojnë provimet dhe ligjëratat.
Ky vendim që punët të kryhen pas pushimeve verore u ka sjellë probleme studentëve dhe profesorëve, të cilët ankohen për erën e rëndë, dhe parregullsi që po ua shkaktojnë punëtorët gjatë punimeve, shkruan InLajmi.
Shefi i departamentit të gazetarisë, profesor Milazim Krasniqi, në një prononcim për InLajmin, ka thënë se këto renovime po ndikojnë shumë negativisht, pasi shumë student kanë reaksione alergjike ndaj erërave të rënda të ngjyrave.
“Studentët kanë reaksione, kur janë në kontakt me to, ndiejnë iritim, bezdi dhe dekoncentrim, dhe në rastin e studenteve kjo mund të ketë ndikim direkt në rezultatin e provimeve”.
Krasniqi, tha se nuk ka asnjë reagim për këtë çështje nga administrate e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ata ka kohë që janë të pandjeshem ndaj reagimeve, sepse e përsërisin këtë mënyrë të keqe të punës, gjithë verën nuk punohet asgjë nëpër objektetet e UP-së, ndërsa punimet fillojnë në kohën e provimeve dhe ligjeratave. Nga punimet bëhet zhurme e padurueshme, kundërmime ngjyrash, rrëmuje punëtorësh që sillen vërdallë me cigare në gojë, pra një ambient shumë joakademik”, shtoi ai.
Arben Gjergjaj student në Departamentin e Gazetarisë tha se këto punime po i pengojnë shumë.
“Po, këto renovime dhe aroma e ngjyrave po më pengojnë shumë dhe po ndikojnë drejtëpërdrejtë në dekoncentrim gjatë kohës sa po jemi brenda në sallë të provimit”, tha studenti.
Nga ana tjetër InLajmi, për këtë çështje e ka kontaktuar Kastrit Muzaqin, pronar i kompanisë “MaK Building sh.p.k”, kompani kjo e cila po i kryen rinovimet në Fakultetin e Filologjisë. Ai përmes një bisede telefonike tha se punimet priten të përfundojnë më datën 29 shtator, dhe sa i përket erërave të ngjyrave tha se janë të rënda por të pa dëmshme për shëndetin e njeriut.
“Punimet kanë filluar që 6 ditë dhe priten të përfundojnë me datën 29 shtator. Erërat e ngjyrave fakt që janë të rënda por nuk kanë rrezik, përderisa edhe punëtorët të cilët po i kryjejnë këto renovime nuk përdorin maska, që do të thotë që nuk përbëjnë rrezik. E sa i përket erës së fortë të ngjyrave krejt kjo është për arsye se janë duke u përdorur ngjyra më kualitative që të jenë më afatëgjate”, shprehet Muzaqi.
Ndërsa, rinovimet që po kryhen në afat të provimeve, Muzaqi tha se kjo nuk është në përgjegjësi të firmës kontraktuese sepse siç tha ai, menjëherë pasi është nënshkruar kontrata kompania e tij ka filluar me punime.
Siq duket për këtë çështje administrate e UP-së, ka vendosur të hesht. InLajmi i ka kontaktuar personat pëgjegjës të zyrës për Informim të administrates, ata na kanë thënë se duhet t’i dërgoni me shkrim pyetjet, edhe pas 24 orëve nga koha kur i kemi dërguar pyetjet, nuk kemi marrë përgjigje.
Kjo është përgjigja që ka ardhur me vonesë (pasi që është publikuar shkrimi) në e-mail të redaksisë tonë, nga zyra për informim e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Të cilën po e postojmë pa ndërhyrje.
Vërshimet në Fakultetin e Filologjisë dhe të Shkencave Matematiko – Natyrore kanë ndodhur me datë 10 korrik 2019, në kohën kur punimet ishin në procedurë të renovimit të kulmit të ndërtesës. Pas vërshimeve, sanimi i dëmeve të kulmit ka qenë prioritet. Menjëherë pas finalizimit të kulmit, kemi filluar me riparim të dëmeve të shkaktuara nga reshjet brenda ndërtesës, e natyrisht, tani ka filluar procedura finale e ngjyrosjes së sallave.
Ne ju informojmë se i tërë procesi ka rrjedhë sipas procedurave të përshpejtuara të prokurimit publik, si dhe është punuar edhe gjatë muajit gusht, kur UP-ja ka qenë në pushim kolektiv.
Renovimet pritet të përfundojnë në fund të muajit shtator, në mënyrë që viti i ri akademik të fillojë pa pengesa të tilla.
/InLajmi/