Sot në një vilë në Pejë ka ndodhur një rast tragjik, ku janë gjetur të vdekur dy persona. Sipas burimeve të Express, bëhet fjalë për dy të rinj, një grua rreth të njëzetave dhe një burrë rreth të tridhjetave.

Për këtë rast është deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i cili konfirmon se në vendin e ngjarjes janë siguruar prova të cilat do të shërbejnë në veprimet e mëtejshme të hetuesisë si dhe janë identifikuar dëshmitarët.

“Me të pranuar informatën menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, dyshohet se ishin pa shenje jete në një motel. Në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurorja e Krimeve të Rënda dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes duke siguruar provat të cilat do të shërbejnë në veprimet e mëtutjeshme. Njëkohësisht janë identifikuar dëshmitarë, është ftuar Mjekësia Ligjore për t’i tërhequr trupat e pajetë dhe me urdhër të shtetit të bëhet autopsia. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të jepen detaje më shumë”, tha Nikçi për Gazetën Express.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i tha Expressit se vdekjen e viktimave e ka konstatuar mjeku kujdestar.
“Rreth orës 15:00 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, tha Gashi.




















