Kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një sërë takimesh në kuadër të aktiviteteve elektorale në rajonin e Prizrenit. Dita ka nisur me një takim domethënës me veteranët e UÇK-së, Alush Shala, Sefedin Morina dhe Skender Sallauka, ku u theksua rëndësia e respektit institucional dhe mbështetjes së vazhdueshme për kategoritë që kanë kontribuar në lirinë dhe ndërtimin e shtetit.

Në vazhdën e aktiviteteve, Paçarizi ka vizituar humanistin e njohur Halil Kastrati. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e solidaritetit shoqëror dhe projekteve në shërbim të komunitetit, me fokus të veçantë në mbështetjen e familjeve në nevojë dhe fuqizimin e iniciativave humanitare.

Aktivitetet kanë vazhduar me vizita në Vërmicë dhe Shkozë, ku kandidati i PDK-së është takuar me qytetarët dhe strukturat e nëndegëve lokale. Sipas tij, mbështetja dhe angazhimi i qytetarëve dëshmojnë për një frymë të qartë ndryshimi dhe përkushtim për rikthimin e zhvillimit dhe stabilitetit.

Gjatë mbrëmjes, në Vlashnje, Paçarizi ka zhvilluar një takim me banorët e Vërrinit, një trevë që historikisht ka dhënë kontribut të rëndësishëm për qytetin e Prizrenit dhe për shtetin e Kosovës. Takimi u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë dhe mbështetje e theksuar për vizionin politik të PDK-së.
Aktivitetet e ditës janë përmbyllur me takime me nëndegët e Kurillës, 11 Marsit dhe 2 Korrikut. Nga këto takime u theksua angazhimi i shtuar për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke nënvizuar se Prizreni mbetet një nga qendrat kryesore të mobilizimit politik.




















