Për herë të parë që nga nisja e negociatave, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vendosur të bëjë publike të gjitha 20 pikat e planit të paqes, duke hedhur dritë mbi një dokument që synon jo vetëm fundin e luftës, por edhe rindërtimin e rendit të sigurisë në Evropë.
Zbulimi u bë gjatë një takimi me gazetarët dhe u raportua nga RBC-Ukraine.
Në thelb të planit qëndron një vijë e kuqe e panegociueshme: sovraniteti i Ukrainës.
“Nuk është objekt diskutimi”, theksoi Zelensky, duke e vendosur këtë si bosht politik të gjithë dokumentit. Nga kjo pikë nis edhe arkitektura e sigurisë që Ukraina dhe aleatët perëndimorë synojnë të ndërtojnë pas përfundimit të luftës.
Plani parashikon një pakt mos-agresioni me Rusinë, të shoqëruar me mekanizma monitorimi përgjatë vijës së frontit, por thelbi i vërtetë mbeten garancitë e sigurisë, të cilat presidenti ukrainas i cilëson si çështjen kryesore.
Sipas propozimit, SHBA, NATO dhe vendet evropiane do t’i ofronin Ukrainës garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s: çdo agresion i ri rus do të shkaktonte përgjigje ushtarake dhe rikthim të sanksioneve.
Ukraina nuk pranon çmilitarizim, ndërsa forcat e saj të Armatosura parashikohen të kenë 800 mijë trupa edhe në kohë paqeje. Rusia do të angazhohej ligjërisht për një politikë mos-agresioni jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj Evropës.
Dimensioni evropian i planit është po aq i qartë: anëtarësimi i Ukrainës në BE kërkohet me një datë të përcaktuar, jo si premtim i pacaktuar. Plani përfshin një plan global zhvillimi, i mbështetur nga një marrëveshje investimesh dhe një fond rindërtimi prej 800 miliardë dollarësh për rikthimin e ekonomisë së shkatërruar.
Marrëdhëniet me SHBA-të zënë një vend të veçantë, përmes një marrëveshjeje të përshpejtuar për tregti të lirë, ndërsa Ukraina riafirmon statusin e saj jo-bërthamor, pjesë ky e stabilitetit rajonal.
Një vijë e kuqe tjetër është centrali bërthamor i Zaporizhzhias. Zelensky bën të qartë se nuk ka kompromis mbi këtë çështje. SHBA ka propozuar një administrim trepalësh, ndërsa Ukraina ofron modelin 50–50 me amerikanët.
Plani përfshin gjithashtu elementë arsimorë dhe kulturorë, përfshirë programe që nxisin tolerancën dhe luftojnë racizmin dhe paragjykimet, në përpjekje për të ndërtuar një paqe afatgjatë dhe jo vetëm një armëpushim formal.
Territoret mbeten pika më e ndërlikuar. Një opsion parashikon tërheqjen e Rusisë nga rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv, ndërsa për Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson propozohet formula “qëndrojmë aty ku jemi”. Rusia kërkon tërheqjen e Ukrainës nga Donetsku, ndërsa SHBA-të sugjerojnë krijimin e një zone të lirë ekonomike si kompromis. Nëse nuk arrihet marrëveshje, çështja mund të shkojë në referendum, së bashku me të gjithë dokumentin.
Plani parashikon gjithashtu: Angazhim të Rusisë dhe Ukrainës për të mos ndryshuar marrëveshjen me forcë;
Garantimin e lindjes së lirë në lumin Dnipro dhe Detin e Zi;
Shkëmbim të të burgosurve, kthimin e civilëve, fëmijëve dhe të burgosurve politikë;
Zgjedhje në Ukrainë menjëherë pas nënshkrimit;
Mbikëqyrje ligjore nga Këshilli i Paqes i udhëhequr nga Donald Trump;
Armëpushim i plotë dhe i menjëhershëm sapo të gjitha palët bien dakord, transmeton Sinjali.
Publikimi i plotë i këtyre 20 pikave zhvendos debatin nga deklaratat e përgjithshme te detajet konkrete, duke bërë të qartë se rruga drejt paqes është e mundur, por e mbushur me dilema të thella politike, territoriale dhe gjeostrategjike.




















