Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross , me të cilët ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe mundësitë për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e ngushtë me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme bipartizane të SHBA-ve për Kosovën. Ajo theksoi se kontributi amerikan ka qenë vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.
Presidentja nënvizoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë dhe është e përkushtuar plotësisht ndaj reformave të brendshme, bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Ajo përmendi edhe bashkëpunimin me administratën e Presidentit Trump në fusha me interes të përbashkët.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, të cilin Osmani e cilësoi si një imperativ strategjik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë Evropës. Ajo rikujtoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në misione jashtë vendit, ndërsa Kosova ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të GDP-së, me synim dyfishimin brenda pak vitesh.
Në aspektin e sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Osmani vlerësoi punën profesionale të institucioneve të sigurisë dhe theksoi rëndësinë e pranisë së vazhdueshme amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it, të cilën e quajti garanci të paqes për Kosovën dhe rajonin.
Presidentja ngriti edhe çështjen e agresionit në Banjskë, duke theksuar se Serbia edhe pas më shumë se dy vjetësh vazhdon t’i mbrojë organizatorët dhe autorët e sulmit, përfshirë Milan Radojqiqin, të cilët nuk janë dorëzuar drejtësisë. Ajo tha se llogaridhënia për këtë akt dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe parandalimin e rrezikut nga veprime të ngjashme.


















