Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku sot u shkarkua Besim Kelmendi nga pozita e ushtruesit të detyrës.
Sallahu thekson se shkarkimi i kundërligjshëm i u.d. Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, është shkelje flagrante e ligjit nga ata të cilët duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij, gjersa ka kërkuar edhe nga BE dhe Ambasada Amerikane që të reagojnë lidhur me këtë.
Postimin i plotë i tij:
Zhvillimet e fundit në KPK po shpalosin realitetin se vendimmarrja brenda kësaj përbërje po dominohet nga përplasje të brendshme, gara për pushtet dhe lëvizje të koordinuara mes grupeve, e jo nga interesi i shtetit dhe i drejtësisë.
Kjo situatë, e cila po shfaqet hapur përmes kërkesave të ndërsjella për shkarkime, tregon qartë se KPK ka një problem thelbësor të funksionimit: një përbërje e fragmentuar, e përçarë, e cila nuk arrin të vendosë mbi bazën e profesionalizmit dhe integritetit, por sipas linjave të brendshme të influencës.
Drejtësia nuk mund të ecë përpara nëse organi që garanton pavarësinë dhe llogaridhënien e prokurorëve vetë funksionon me logjikën e grupeve dhe të dominimit të brendshëm.
Shkarkimi i kundërligjshëm i u.d. Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, është shkelje flagrante e ligjit nga ata të cilët duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij.
Kosova ka nevojë për institucione të drejtësisë që punojnë për qytetarët, jo për grupime brenda zyrave.
Këto zhvillime duhet të jenë vazhdim për reformë të thellë, përgjegjësi dhe transparencë në çdo nivel të sistemit të drejtësisë.
Ftoj Zyrën e BE-së, Ambasadën Amerikane dhe partnerët tjerë ndërkombëtar të reagojnë lidhur me veprimet e kundërligjme brenda KPK-së, përcjell Telegrafi.com
Jetësimi i reformës që ka filluar nuk duhet ta frikësojë askë dhe si e tillë do të duhet të zbatohet tërësisht, përmes së cilës eliminon grupet e interesit, rritë llogaridhënien, përgjegjësinë dhe transparencën.

















