Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se deri më tani janë verifikuar rezultatet për 1 mijë e 531 vendvotime nga votimet për kryetarë të 12 tetorit.
Ai njëherësh ka treguar edhe për verifikimin e rezultateve për asamble.
“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet për 1,531 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,494 vendvotime”.
“Nga po kaq vendvotime, 1,494, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,025”, tha ai.
Elezi bëri me dije më tutje se deri më tani aktivitetet në Qendrën Komunale të Numërimit sa i përket numërimit të votave janë përmbyllur në 13 komuna.
“Deri më tani (e enjte, ora 10:00), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 13 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog dhe Skenderaj (e mërkurë). Në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave; verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale; dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale”, shtoi Elezi.
Në zgjedhjet e së dielës votuan 811 mijë e 984 qytetarë nga 2milionë e 25mijë e 105 me të drejtë vote.