Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës njëherit kryetar i Lidhjes për Prishtinën, Fehmi Kupina është sulmuar sot me shishe pas mbledhjes së Kuvendit Komunal.
Lidhur me këtë incident policia ka shoqëruar tre persona. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i policisë në kryeqytet, Enis Pllana.
“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast”, tha Pllana.
Ai shtoi se aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.
Kupina raportohet se është sulmuar nga asamblesiti i LDK-së, Sami Salihu.
Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e cila ishte thirrur nga kryetari Përparim Rama, për miratimin e buxhetit për vitin 2026, raporton Telegrafi.com
Grupi i asamblistëve të LVV-së më herët ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje, derisa kanë arsyetuar vendimin e saj duke thënë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka dërguar për votim buxhetin në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim paraprak dhe duke i anashkaluar anëtarët e Kuvendit Komunal dhe qytetarët e Prishtinës.