Sot u mbajt mbledhja komemorative për nder të aktorit të njohur shqiptar, Enver Petrovci, figurë e shquar e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, i cili vdiq dje në moshën 71 vjeçare, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, theksoi se vendi do të mbetet krenar për kontributin e tij.
“Kjo zbrazëtirë nuk mbushet. Një njeri i dashur dhe serioz brutal në sinqeritet. Kjo është figura e Enverit tonë. Ishte baba i ‘Teatrit të babës’. Ata që e kanë parë një herë në skenë nuk ka pasur mundësi ta harronin. Çmime kishte pakufi dhe duartrokitjet e përcollën gjithmonë pa u ndalur asnjëherë. Vendi ynë është krenar për punën dhe kontributin e tij. Prehu në paqe! Emri mos t’u harroftë kurrë”, tha Çeku.
Vajza e të ndjerit Enver Petrovci, Vanesa, mes emocioneve tha se babai i saj ishte njeriu me zemër të madhe, i cili e përkrahu deri në frymën e fundit, duke i lënë trashëgimi dashuri dhe siguri.
“Këtë fjalim e pata të vështirë. Kur kam qenë në skenë kam kërkuar sytë e tij të më përkrahë. Përkundër kontributit, kam nevojë të flas për babin që ka qenë, për njeriun me zemër të mirë. Ka dashur pa kushte, me zemër të pastër. Deri në frymën e fundit me ka trajtuar si bebe. Ma ka lyp faqen me ma kapë. Ka dhënë shumë dashuri dhe përveç dashuri shumë siguri dhe humor, në sy ma ka lexuar gjendjen shpirtërore. Sëmundjen e ka kaluar njësoj me humor. Në momentin e fundit ka folur, ka kënduar dhe ka buzëqeshur”, tha ajo
Profesori universitar, Hazir Haziri, kujtoi rolin e tij në Fakultetin e Arteve, ku Petrovci ishte jo vetëm aktor i jashtëzakonshëm, por edhe mësues i përkushtuar që i dha shumë brezave të rinj.
“Sot jemi mbledhur për të nderuar një figurë të çmuar të artit tonë që la gjurmë. Në skenë dhe në ekran ai ka qenë i jashtëzakonshëm. Çdo interpretim i tij ka qenë një leksion i gjallë arti që mbetet në kujtesë. Një pjesë e rëndësishme ishte i lidhur me Fakultetin e Arteve. Në kulmin e karrierës pranoi të bëhet profesor, të ndërtojë një shkollë të vërtetë aktrimi. Ishte i rreptë në punë dhe shumë kërkues, por njëkohësisht i afërt dhe i ngrohtë”, tha ai.
Ndërsa, aktorja Teuta Krasniqi theksoi se Enver Petrovci mbetet një nga figurat më të shquara të artit shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në teatër dhe film.
“Do të mbetet një nga figurat më të shquara për artin dhe kulturën. Ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Shprehim mirënjohje për kontributin e tij. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Ndajmë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe”, tha Krasniqi.