Ambasada Gjermane në Prishtinë në një përgjigje ka deklaruar se nuk janë në dijeni që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u kanë dërguar ftesë të përbashkët për takim, shteteve të QUINT-it.
Të pyetur për takimin që u tha se do të mbahet në Kuvend të Kosovës me kërkesë të LV-së dhe LDK-së, nga Ambasada e Gjermanisë kanë deklaruar se gëzohen kur ka ftesa të tilla sikur kjo, mirëpo, aktualisht shtojnë se nuk janë në dijeni për një ftesë të tillë të përbashkët.
“Gëzohemi kur marrin ftesa nga partitë politike, aktualisht nuk jemi në dijeni për një ftesë të tillë të përbashkët”, kanë bërë me dije nga Ambasada Gjermane në vend.
Ndryshe, dje pas takimit LV – LDK që përfundoi edhe njëherë pa marrëveshje u bë e ditur se për t’i informuar lidhur me ecjen e bisedimeve të martën do të ftohen përfaqësues të QUINT’it dhe zyrës së BE-së në Kosovë.
Pas këtij njoftimi, vendet e QUINT-it dolën me një komunikatë të përbashkët ku u tha se nuk përkrahin ndonjë kandidat apo parti të veçantë për të formuar qeverinë duke e lënë të paqartë nëse një takim i tillë do të ndodhë.
“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, “Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, shkruhet në komunikatën e vendeve të QUINT-it, ku nuk bëhej e ditur nëse do të marrin pjesë në takimin e sotëm.
Në Ambasadën Amerikane në Prishtinë ndërkaq nuk kanë komentuar nëse ambasadori Philipp Kosnett shkon për t’u parë me LV-në dhe LDK-në, derisa shtojnë se nuk kanë cka të thonë më shumë se sa komunikata e lëshuar sot.
“Ambasada amerikane nuk ka çka të shtoj përveç asaj të shkruar në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it”, kanë thënë nga ambasada amerikane.
Takimi i ambasadorëve të QUINT-it në vend, zyrës së BE-së në Prishtinë dhe LV-së e LDK-së është paralalajmëruar që të mbahet në ora 17:00 në Kuvend të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Zyra për media e Vetëvendosjes deklaroi se Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk e kanë bërë ftesën për ndërmjetësim, por, si lehtësues eventual.