Mesfushori legjendar kroat, Luka Modric, ka ndryshuar skuadër këtë verë, duke u transferuar nga Real Madrid te Milani, të cilit iu bashkua së fundmi.
Aktualisht, Modric po njihet me bashkëlojtarët e tij të rinj në ambientet e klubit në San Siro, dhe kamerat kanë kapur një moment interesant gjatë një prej takimeve të para.
Në mënyrë spontane, Modrić u takua me Christian Pulisic, sulmuesin amerikan me prejardhje kroate, në dhomën e masazhit.
Gjyshi i Pulisicit, Mate, është me origjinë nga ishulli Olib pranë Zadarit, dhe takimi i tyre rezultoi jashtëzakonisht i përzemërt.
Dy lojtarët u përqafuan, pas së cilës Modric e pyeti me humor nëse Pulisic fliste kroatisht. Ky i fundit iu përgjigj me të qeshur: “Nuk flas kroatisht, e vetmja gjë që kam është pasaporta (qesh)”, duke bërë që Modric të qeshte po ashtu.
Pulisic kishte marrë pasaportën kroate rreth tetë vite më parë, kur ishte ende pjesë e Borussia Dortmund, për të shmangur vështirësitë me vizën e punës që shpesh hasin lojtarët jashtë Bashkimit Evropian, transmeton Telegrafi.com
Federata Kroate e Futbollit (HNS) kishte shfaqur interes për ta përfshirë atë në përfaqësuesen kroate, por Pulisic vendosi të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.