Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar sot, më 29 korrik 2025, rastet e para të sëmundjes virale “Gjuha e Kaltër” në dy ferma: në fshatin Marec (Prishtinë) dhe në fshatin Brus (Lipjan).
Sëmundja, e cila transmetohet nga mushkonjat e llojit Culicoides, prek ruminantët si delet, dhitë dhe gjedhët, por nuk transmetohet te njerëzit.
Për të parandaluar përhapjen e saj, AUV ka ndaluar lëvizjen e kafshëve në të gjithë territorin e Kosovës dhe ka vendosur masa të rrepta biosigurie.
Fermat e prekura janë vendosur në karantinë të plotë, ndërsa fermerët janë urdhëruar të përdorin masa të dezinfektimit dhe të shmangin kontaktin ndërmjet tufave. Po ashtu, është pezulluar puna në të gjitha tregjet e kafshëve, dhe Policia e Kosovës, bashkë me autoritetet komunale, do të mbikëqyrin zbatimin e vendimit.