Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton ka pretenduar në librin e tij të ri se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka synuar të pezullojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, nëse ajo nuk heton rivalët e tij politikë.
Në raportin e 26 janarit, thuhet se Bolton ka shkruar në libër se Trump i ka thënë atij që dëshiron të bllokojë qindra miliona dollarë të ndihmave për Ukrainën, nëse kjo e fundit nuk i ndihmon në hetimet rreth ish nën-presidentit amerikan, Joe Biden dhe djalit të tij.
Ekipet ligjore të Trumpit kanë insistuar vazhdimisht se presidenti kurrë nuk e ka lidhur ndihmën për Ukrainën me hetimet.
Pas publikimit të raportit, demokratët kanë rikthyer thirrjet për dëshmi të Boltonit në gjyqin kundër Trumpit, që po zhvillohet në Senat.
Presidenti amerikan përballet me akuza për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat lidhen me përpjekjet e supozuara për shtyje të Ukrainës që të hetojë rivalët e tij politikë në këmbim të ndihmës ushtarake në vlerë të 391 milionë dollarëve.
Gjykimi kundër Trumpit do të vazhdojë në Senat më 27 janar.
Trump ka mohuar pretendimet në një seri postimesh në rrjetin social, Twitter duke thënë: Unë kurrë nuk i kam thënë John Boltonit që ndihma për Ukrainën ka qenë e lidhur me hetimet për demokratët, duke përfshirë Bidenët.
“Në fakt ai kurrë nuk është ankuar për këtë gjë kur ka bërë publik largimin. Nëse John Bolton ka thënë këtë, ka qenë vetëm për ta shitur librin”, ka shtuar ai.
Të dhënat për librin janë dërguar në Shtëpinë e Bardhë për rishikim para publikimit, një praktikë e zyrtarëve të administratës dhe të atyre që kanë qenë më parë aty dhe kanë shkruar libra.
Shtohen thirrjet për dëshmi
Bolton është larguar nga Shtëpia e Bardhë një ditë para se presidenti Trump të bënte publike ndihmën për Ukrainën më 11 shtator.
Ai ka thënë se ka gatishmëri për të dëshmuar, pavarësisht urdhrit të presidentit që ndihmësit e tij të mos bashkëpunojnë me gjyqin.
Në qendër të hetimeve është një bisedë telefonike e 25 korrikut në mes të Trumpit dhe presidentit ukrainas.
Në transkriptin e bisedës është bërë e ditur se presidenti amerikan ka kërkuar nga homologu i tij ukrainas të hetojë Bidenin, i cili konsiderohet kundërshtuar potencial i Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane që mbahen në nëntor të këtij viti.
Djali i tij, Hunter Biden ka qenë pjesëtar i bordit të një kompanie ukrainase për energji, derisa babai i tij ka shërbyer si nën-president në SHBA.
Kritikët thonë se ndihma ushtarake për Kievin është bllokuar me qëllim të përfitimit.
“John Bolton ka të dhëna”, ka thënë lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.
“U përket katër republikanëve në Senat të sigurohen që John Bolton, (ushtruesi i detyrës së shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë), Mick Mulvaney, dhe të tjerët me njohuri të plota, të dëshnojnë për veprimet e Trumpit në gjyq”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Përveç që demokratët nuk kanë vota të mjaftueshme, Senati tani drejtohet nga republikanët, parti nga e cila vjen Trump.
Radio Evropa e Lirë nuk ka konfirmuar përmbajtjen e librit të Boltonit.
Ai është larguar nga pozita që ka pasur pas mospajtimeve me presidentin.
Trump ka thënë se e ka shkarkuar atë, derisa Bolton pati deklaruar se ka dhënë dorëheqje.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë ngritur akuzat kundër Trumpit dhe për pasojë po zhvillohet gjyqi kundër tij.
Senati do të vendosë nëse do ta largojë apo jo presidentin nga zyra.
Vetë Trump ka mohuar çdo keqbërje, derisa procedurat për shkarkim të tij i ka konsideruar “gjueti shtrigash”.
Shtatë ditët e gjyqit nisin pasditën e së hënës, teksa ekipi mbrojtës i Trumpit do të prezantojë argumentet e përgatitura.
Trump është presidenti i tretë në historinë amerikane që përballet me gjyq për shkarkim.
Demokrati, Andrew Johnson ka qenë presidenti i parë amerikan që është përballur me gjyq për shkarkim.
Johnson, ka fituar pushtetin pas vrasjes së Abraham Lincolnit.
Ai është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, atëbotë e kontrolluar nga republikanët, për shkarkim të paligjshëm të Sekretarit për Luftë, John Stanton më 1868.
Senati nuk ka miratuar akuzat kundër tij për një votë, mirëpo Johnson nuk ka fituar nominimin e partisë për të garuar për president në zgjedhjet e vitit 1868.
Më 1998, demokrati, Bill Clinton është akuzuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve se ka gënjyer nën betim dhe ka penguar punën e drejtësisë në çështjen rreth marrëdhënies të tij seksuale që ka pasur me një praktikante, raporton The New York Times.
Megjithatë, Senati i kontrolluar nga demokratët nuk ka votuar për largimin e tij nga zyra.
Presidenti i 37-të i SHBA-së, Richard Nixon, ka dhënë dorëheqje para se të votohej për gjyqin kundër tij në Dhomën e Përfaqësuesve.