Shkruan Dr. Prof Orhan Kubati
Oftalmologjia në 35 vitet e fundit ka evoluar ndjeshëm në të gjitha subspecializimet e saj. Do të jetë e nevojshme që çdo oftalmolog, pavarësisht nga subspecializimi i tij, të ketë njohuritë aktuale për strabizmin, në mënyrë që të këshillojë me kohë pacientët dhe familjarët. Barra më e madhe bie mbi mjekun familjar dhe pediatrin. Të gjitha format e strabizmit (vëngërimet, përfshirë edhe ambliopinë – shikimi i dobësuar) manifestohen (paraqiten) herët. Është shumë e rëndësishme që të identifikohen sa më herët dhe të filloj trajtimi në kohë.
Si ta shpjegojmë për prindërit strabizmin (vëngërimin, shashillëkun)?
Strabizmi (vëngrimi, shashillëku) haset në 4–6% të popullatës, kryesisht te fëmijët dhe shumë më rrallë te të rriturit. Trajtimi i strabizmit, kur shoqërohet me shikim të dobët – ambliopi, kërkon trajtim të menjëhershëm dhe vazhdon me kujdes deri në korrigjimin e plotë të strabizmit dhe ambliopisë. Ky trajtim duhet të fillojë para moshës 5 vjeç. Trajtimi përqëndrohet (fokusohet) në:
• korrigjimin e anomalive të refraksionit (nëpërmjet përdorimit të syzeve, sipas nevojës),

• mbylljen e njërit sy (okluzioni),
• dhe në rreth 60% të rasteve, kërkohet edhe ndërhyrje kirurgjikale për drejtimin e syve të shtrembër.
Është vërtetuar se kur prindërit (dhe më vonë edhe fëmijët) e kuptojnë thelbin e trajtimit, ata bëhen faktor kyç në parandalimin e komplikimeve që sjell strabizmi – në radhë të parë shikimin e dobët (ambliopi, nga greqishtja “ambyos” që do të thotë “i tupitur”), i cili, nëse nuk trajtohet në kohë, mund të mbetet i përhershëm.
Prindërit duhet të kuptojnë se kur arrihet një shikim i mirë – mprehtësia vizuale dhe shikimi stereo (stereopsis), atëherë, nëse ndjekin udhëzimet e oftalmologut (strabologut), suksesi arrihet në 80% të rasteve në moshën 2.5–3 vjeç dhe në 100% në moshën 4.5–5 vjeç, me ose pa syze.
Nëse strabizmi (vëngërimi, shashillëku) nuk korrigjohet, edhe pse faktorët e tjerë janë eliminuar, atëherë fëmija duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike për drejtimin e syve. Kjo zgjidh me sukses problemin e strabizmit (vëngrimit) dhe përfundon trajtimi, përveç rasteve kur nevojiten ende syze. Strabizmi para korekcionit dhe pas koreksioni,rendesia e syzeve./InLajmi/