Më shumë se 400 tubime proteste anti-Trump janë planifikuar të zhvillohen këtë të shtunë në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të një vale të dytë protestash të organizuara nga grupi 50501, që përfaqëson nismën “50 protesta në 50 shtete”.
Kjo është protesta e katërt kombëtare e organizuar nga ky grup që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Organizatorët thonë se synojnë pjesëmarrjen e rreth 11 milionë qytetarëve, një numër që përfaqëson 3.5% të popullsisë amerikane.
Protestat e mëparshme përfshinë ngjarjen “Dita Jo Mbretërve” më 17 shkurt, në përgjigje të retorikës autoritare të presidentit, si dhe protestat masive “Hands Off” më 5 prill, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.
Heather Dunn, zëdhënëse e grupit 50501, deklaroi se qëllimi kryesor i protestave është mbrojtja e demokracisë dhe kundërshtimi ndaj rritjes së autoritarizmit nën administratën Trump.
Organizatorët shpresojnë që ky mobilizim të shndërrohet në një lëvizje të qëndrueshme dhe të ndikojë në procesin zgjedhor të ardhshëm.