Një video e filmuar në pjesën verilindore të rajonit të Katalonjës, që tregon momentin kur një peshkaqen gjigand u kap aksidentalisht nga një peshkatar, është bërë virale në rrjetet sociale.
Përbindëshi 6.7 metra i llojit basking (Cetorhinus maximus), e që është i listuar si një specie e mbrojtur nga autoritetet, u kap nga një peshkatar i zakonshëm, i cili i alarmuar u detyrua të njoftonte menjëherë fondacionin për jetën detare të zonës – CRAM.
Ai e solli peshkaqenin në breg në Port de la Selva ku ekspertët zbuluan se ishte një femër. CRAM konfirmoi se kapja ishte aksidentale dhe se peshkatari kishte ndjekur të gjitha protokollet e nevojshme duke i njoftuar menjëherë.
Video, e cila ka mbi 150 mijë shikime në platformën ‘X’ tregon njerëz të mbledhur rreth krijesës gjigante ndërsa ajo sillet në breg, ndërsa një rrjetë peshkimi është ngatërruar në bishtin e saj, transmeton A2cnn.
Peshkaqenët basking janë lloji i dytë më i madh i peshkut në botë, dhe më i madhi që mund të gjendet në Detin Mesdhe. Pavarësisht përmasave të tyre të mëdha dhe gojës së frikshme, ata nuk janë agresivë ndaj njerëzve dhe ushqehen kryesisht me plankton.
