Në vitin 2024, dielli gjeneroi 11% të energjisë elektrike të BE-së, duke kapërcyer qymyrin i cili për herë të parë ra nën 10%. Sipas raportit vjetor të EMBER, prodhimi i energjisë nga gjenerimi i lëndëve fosile ra në nivelin më të ulët historik për të pestin vit radhazi.
Politika për mbrojtjen e klimës dhe objektivat që ka vendosur Bashkimi Europian i kanë dhënë hov investimeve tek energjia e rinovueshme, ku energjia që sigurohet nga dielli ka pasur rritje të konsiderueshme edhe në vende të tjera përtej unionit, përfshi edhe Shqipërinë.
Studimi i publikuar nga grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se 69 miliardë euro janë shmangur nga kostot e importit të karburanteve fosile, për shkak të energjisë së rinovueshme nga dielli dhe era.
Në raport thuhet energjia diellore mbeti burimi i energjisë me rritje më të shpejtë në BE në vitin 2024, ndërsa energjia e erës burimi i dytë më i madh, mbi gazin dhe energjinë bërthamore.
Megjithatë, nevojitet një përshpejtim deri në vitin 2030, për të arritur objektivin 27% të prodhimit të energjisë nga dielli, i cili përveç reduktimit të ndotjes, do të ulë kostot e energjisë për të gjithë konsumatorët, transmeton Euronews Albania.

Në vitin 2024, raporti mes energjisë së pastër dhe energjisë që u prodhua nga gazi, fosilet dhe centralet bërthamore ishte 47% me 53%, çka me ritmet e tranzicionit, ky raport mund të përmbyset brenda 2 viteve.