Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se propozimi i Demo Berishës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.
Sipas tij, ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm, sepse Demo Berisha nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
“Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Berisha është një ish-oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë. Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është “Kosova e Metohisë” dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, “Matica Albanaca Srbije,” ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar.Demo Berisha vetëm mund te jete Faik Jašari 2.0, i cili ishte pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje. Faik Jašari, edhe pse kishte zgjedhur të mbetet pjesë e institucioneve të Serbisë para vitit 1999, pas luftës u detyrua të largohej nga Kosova dhe për 20 vjet nuk është kthyer më. Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar. Ai mbetet jashtë institucioneve, jashtë Kosovës, si një figurë e harresës dhe disfatës, figure kuislingë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kamberi ka shkruar se Demo Berisha, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jasharin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet, po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë, transmeton Gazeta Express.