Sulmin me dy granata dore brenda objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, eksperti i sigurisë, Avni Islami, e cilësoi si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia, duke e lidhur atë me përpjekjet për të minuar sovranitetin e Kosovës në komunat veriore.
Ai për Ekonomia Online theksoi se këto sulme nuk kanë në shënjestër qytetarët e thjeshtë, por institucionet e shtetit të Kosovës, në përpjekje për të sfiduar autoritetin e institucioneve në veri.
“Sulmi, i cili ka ndodhur në objekt shtetëror është në vazhdën e atyre sulmeve që kanë ndodhur nëpër objektet vitale nga ana e grupeve terroriste, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me strukturat e shtetit të Serbisë. Një akt i tillë konsideroj që është një terrorizëm shtetëror, pra Serbia ka kryer një sulm terrorist në territor të Kosovës. Rasti i tillë dhe disa raste të tjera nuk janë të drejtuara ndaj qytetarëve, por janë të drejtuara ndaj institucioneve të Kosovës. Kjo bëhet për shkak se tani në katër komunat veriore sovraniteti dhe integriteti territorial është shtrirë në plotëni dhe tash kemi sulme të tilla herë pas herë sporadike, të cilat janë të kryera nga grupet diversantë, të cila kryejnë akte dhe ikin në territorin e Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas Islamit, objektet vitale të shtetit janë bërë shënjestër e këtyre sulmeve, një praktikë që, sipas tij, vërehet edhe në shtetet perëndimore kur përballen me sulme terroriste.
Megjithatë, Islami vlerësoi se këto sulme mbeten të izoluara dhe nuk do të ndikojnë në sigurinë e përgjithshme të vendit.
“Po shohim se cak i sulmeve janë objektet vitale. Sulme të tilla terroriste ndodhin në vendet perëndimore. Andaj, konsideroj se institucionet e sigurisë së Kosovës janë duke kryer punën e vet dhe besoj që në të ardhmen do të jenë vigjilente që minimalisht të mos ndodhin raste të tilla. Mund të ketë raste të tilla, por mendoj që janë të izoluara dhe nuk do ta cenojnë sigurinë nacionale të Kosovës”, ka thënë ai.