Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën vetëm disa ditë pas një përplasjeje mes presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale.
Urdhri për ndërprerjen e ndihmës ushtarake u dha të hënën në mbrëmje, sipas kohës amerikane.
Një zyrtar i mbrojtjes amerikane shpjegoi për NBC News se në momentin kur u dha urdhri, amerikanët po lëviznin pajisje në rajon.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ndihma ushtarake është ndërprerë sepse Shtetet e Bashkuara duan të sigurohen që kjo ndihmë kontribuon në zgjidhjen e konfliktit.
“Presidenti e ka thënë qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të angazhuar për këtë qëllim. Po pushojmë dhe po rishikojmë ndihmën tonë për të qenë të sigurt se ajo kontribuon në zgjidhjen e problemit”, u shprehën ata në një njoftim, transmeton Telegrafi.

Bloomberg raportoi se dërgesa e të gjitha pajisjeve ushtarake amerikane që nuk ndodhen aktualisht në Ukrainë është ndalur, përfshirë armët që janë në transport me avionë dhe anije ose që presin në zonat e kalimit në Poloni.