Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kanë dhënë mbështetje sot Prokurorisë Speciale pas mosparaqitjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale me urdhër të gjykatës.
KPK dhe Prokurori i Shtetit thanë se “pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e Kryeministrit Kurti”, inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë.
Pas deklaratave të Kurtit nga Gjilani që goditi Prokurorinë, duke thënë se po e keqpërdorin lirinë për ta luftuar Qeverinë, KPK dhe ZKPSH tha se “rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.
Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë “vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit”, raporton Gazeta Express.
“KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim