Sot festohet Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, i cili prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.
2023 është Viti Evropian i Aftësive, prandaj në Ditën e Evropës, Delegacioni i BE-së në Tiranë do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë të rinjve shqiptarë, të cilët falë mbështetjes së BE-së kanë zhvilluar aftësitë e tyre dhe zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri duke nisur biznese apo projekte të suksesshme.
Delegacioni i BE-së në Tiranë ka zgjedhur të festojë Ditën e Evropës në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit së bashku me shtetet anëtare të BE-së, përfituesit e projekteve të BE-së, adhuruesit e natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann është shprehur Krenare që: “shoh flamurin e Bashkimit Evropian në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, që simbolizon mbështetjen dhe përkushtimin tonë për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë”.
Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Evropian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.
Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Evropës”.
Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin evropian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, shkruan ATSH.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në vitin 1990, të 2 palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Evropian.