Kosova shënon sot Ditën e Kushtetutës, apo aktit më të lartë juridik dhe politik të shtetit.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të atij viti.
Pjesa më e madhe e saj rrjedh nga Plani i Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Me 14 kapituj dhe 162 nene, Kushtetuta e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik dhe të pandashëm.
Në tekst, po ashtu, thuhet se Kosova është shtet laik dhe shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.
Kushtetuta mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë, shkruan REL.
Autoritetet e Kosovës, jo rrallëherë, janë kritikuar për shkelje kushtetuese, qoftë në miratimin e marrëveshjeve dhe vendimeve të ndryshme, apo të zgjedhjes së presidentëve.