Një sulm i ri me dron në termocentralin e Ukrainës në Zaporizhzhia ka rritur rrezikun e një “aksidenti të madh bërthamor”, ka paralajmëruar mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.
Rusia akuzoi të dielën Ukrainën se qëndronte pas sulmit, ku mbetën të plagosur 3 persona por Kievi ka mohuar përfshirjen.
Centrali gjigand bërthamor i mbajtur nga Rusia, me 6 reaktorë, është në vijën e parë të konfliktit Rusi-Ukrainë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së ka paralajmëruar vazhdimisht kundër sulmeve të tilla.
Kreu i IAEA, Rafael Grossi tha se sulmi i së dielës me dron ishte “i pamatur” dhe “një përshkallëzim i madh i rreziqeve të sigurisë bërthamore” me të cilat përballet uzina.
Fabrika Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore, është më e madhja në Evropë. Forcat ruse e kapën atë pak pasi filluan pushtimin e tyre në shkallë të plotë të shkurtit 2022.
IAEA, e cila ka një ekip ekspertësh në Zaporizhzhia, konfirmoi “ndikim fizik të sulmeve me dron” në termocentral, duke përfshirë një nga reaktorët. Administrata e instaluar nga Rusia e uzinës tha se nivelet e rrezatimit ishin normale dhe se nuk kishte dëme serioze.
IAEA tha se dëmi nuk kishte komprometuar sigurinë bërthamore, por paralajmëroi se “ky është një incident serioz me potencial për të dëmtuar integritetin e sistemit të kontrollit të reaktorit”, shkruan Sinjali.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina akuzojnë rregullisht njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës dhe rrezikimin e një aksidenti të rëndë bërthamor.