Skuadra e Malishevës ka vazhduar me formën e mirë në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
Të dielën, Malisheva ka shënuar edhe fitoren e 4-t rresht pasi triumfoi ndaj Gjilanit.
Në duelin e xhiros së 23-të, të luajtur në Gjilan, Malisheva fitoi me shifrat 3:2. Më i merituari për këtë fitore të Malishevës, padyshim se ishte sulmuesi i krahut, Drilon Hazrollaj.
Në fakt, Hazrollaj ia siguroi fitoren Malishevës pasi shënoi “hat-trick”. 2 gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të 2-tën, mjaftuan për triumfin e Malishevës. Hazrollaj golat i shënoi në minutën 19-të, 40-të nga penalltia dhe 86-të.
Ndërkohë, për Gjilanin realizuan Senad Jaroviq 9’ e Kushtrim Shabani 75’. Me këtë fitore, Malisheva mbetet e katërta në tabelë por me 41 pikë të mbledhura, 2 më pak se Drita që është e treta. Gjilani mbetet i 8-ti në tabelë me 22 pikë.
Krahas Malishevës, edhe Prishtina ka shënuar fitore në këtë xhiro. Në ndeshjen e luajtur në Lipjan, Prishtina e mposhti 3:1 Lirinë e Prizrenit. Ardian Muja 61’, Kreshnik Uka 69’ dhe Leotrim Kryeziu 90’ shënuan për triumfin e Prishtinës që tani ka 34 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë. Golin për prizrenasit e shënoi Aldi Gjumsi në mintën e 5-të të kohës shtesë, shkruan Tëvë1.
Liria mbetet e fundit në tabelë me vetëm 9 pikë dhe ende pa fitore në stinorin pranveror.