Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, të hënën tha se “askush nuk ka të drejtë t’i mësojë Serbisë se çfarë lloj politike të jashtme do të udhëheqë”, duke iu përgjigjur deklaratës së kreut të diplomacisë kroate, Gordan Grliq Radman, për shkak të së cilës Beogradi i dërgoi një notë proteste ambasadës kroate, shkruan InLajmi.
Daçiq tha se “Kroacia vazhdon të këshillojë Serbinë që të qëndrojë në anën e duhur të historisë”.
Daçiq, shtoi se si dikush mund të ndërhyjë në politikën e jashtme të një vendi dhe si mund të vlejë një parim i së drejtës ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën, dhe një parim tjetër kur është fjala për Kosovën.
Daçiq tha se në Kroaci “po ndërtohet sistematikisht marrëdhënie urrejtjeje ndaj Serbisë dhe popullit serb”.
“Është një fushatë e vazhdueshme. Ata janë të interesuar për gjithçka që mund të shkaktojë destabilitet politik,” tha Daçiq në tvpink.rs.
Shefi i diplomacisë serbe vlerësoi se duhet të jetë “praktik” dhe se në marrëdhëniet mes 2 vendeve duhet të përcaktohet se cilat probleme janë nga e kaluara, si dhe të përcaktohen se cilat probleme mbeten të pazgjidhura dhe të zgjidhen ato.