Mësohet se aktori dhe regjisor i njohur, Louis Mandylor, i njohur për kontributin e tij në disa filma të famshëm në industrinë e Hollywood-it, po përgatitet për të krijuar një film të ri, me temë luftën në Kosovë.
Ideja për këtë projekt, që parashikohet të xhirohet me regjinë e Mandylor, është në fazën e konkretizimit. Burimet kanë zbuluar se aktori dhe regjisori nga Australia, bashkë me ekipin e tij, do të qëndrojnë në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme për të filluar punën përreth këtij filmi, i cili do të trajtojë ngjarjet e luftës në fund të viteve ’90 në këtë rajon, shkruan telegrafi.
Rreth kastit të këtij filmi raportohet se do të përfshihet edhe aktori britanik i njohur për rolin e tij ikonik si ‘’Boyka’’, Scott Adkins.
Buxheti për këtë projekt parashikohet të jetë në miliona dollarë, tregues i ambicies së Mandylor për të sjellë në ekran një pamje autentike dhe emocionuese të kësaj periudhe të ndjeshme në historinë e Kosovës, shkruan albinfo.ch.
Fansat dhe kritikët e kinematografisë presin me interes për të parë se si do të materializohet kjo përpjekje e re në botën e filmave të Hollywood-it.
