Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në panelin e diskutimit “Zhvillimi ekonomik për serbët e Kosovës”, organizuar në Media Center Cagllavica. Në panel, ishte pjesëmarrës dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe akterë nga shoqëria civile nga komuniteti serb në Kosovë.
Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tha se “nuk ka mënyrë më të mirë për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin sesa kur flitet për zhvillimin ekonomik edhe rritjen e punësimit”.
Ai shtoi se angazhimi i Qeverisë drejt mbështetjes së zhvillimit ekonomik edhe për komunitetin serb shkon përmes 5 hapave si: mbështetja që iu ofrojmë ndërmarrjeve, rritja e formalizimit të ekonomisë, fuqizimi i kërkesës agregate, mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore, dhe rritja e efikasitetit duke e luftuar korrupsionin e kontrabandën e krijuar hapësirë për lulëzim të subjekteve të cilat veprojnë në dakordim me ligjin.
Ndërsa një program i cili do të mbështeste koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe me komunat e tjera të Kosovës, shtrihet në tre rrafshe: bashkëpunimi ndërkomunal për ofrimin e përbashkët të shërbimeve të caktuara komunale, bashkëpunimi i ndërmarrjeve ekonomike mes këtyre komunave dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile të komunave me përbërje të ndryshme etnike.
Rikujtoi dhe se javën e kaluar ministri Rashiq bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan platformën e re, me të cilën synohet krijimi i 2000 vendeve të punës, duke subvencionuar deri 70% të pagës apo deri në 350 euro për një periudhë prej 6 muajve.
Mbi rregulloren e BQK-së, ai tha se “Rregullorja e Bankës Qendrore e cila është publikuar me 27 dhjetor të vitit të kaluar, kemi potencuar disa herë që nuk e ka objektiv, as nuk merret me asnjë monedhë që është në qarkullim. Fokusi kryesor sipas interpretimeve të Bankës Qendrore, ka qenë rritja e sigurisë së sistemit bankar dhe sistemit të pagesave”. Ai shtoi se Banka Qendrore ka nxjerrë një varg të aktiviteteve dhe masave me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim, e në ditët në vijim edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej 10 masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave.
“Mendoj që është një fillim i mbarë që të fokusohemi më shumë në ekonomi dhe drejt gjenerimit të vendeve të punës, sepse kjo është strategjia më e mirë për të siguruar një integrim të qëndrueshëm të secilit prej nesh”, përfundoi ai.