
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, në një konferencë për media ka shpalosur detaje rreth takimit me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa theksoi se janë pajtuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, BQK-së për ndalimin e dinarit është në periudhë tranzicioni dhe se nga ana juridike kjo është mënyra e duhur, raporton InLajmi.

“Kur u takova me kryeministrin, kemi ardhur deri te një përfundim, që kjo është një periudhë tranzicioni kështu që shfrytëzuesit ta kenë një mundësi që të përgatiten për përdorimin e kësaj rregullore. Nga ana juridike dhe teknike kjo është mënyra e duhur që të vazhdojmë”, tha Rashiq.

Sipas tij ekzistojnë 2 mënyra të implementimit dhe funksionalizimit sa i përket përdorimit të dinarit.
“BQK-ja e Kosovës dhe ajo e Serbisë të zhvillojnë mes vete një lloj transaksioni. Dje kam marrë konfirmimin nga Ismaili se ata sot do ta kontaktojnë bankën qendrore në Serbi”, tha Rashiq.

Ai mendon se konvertimi i dinarit në euro do të jetë shumë i lehtë dhe i zbatueshëm për ata të cilët pranojnë pagesa në dinar.
“Është mënyra tjetër kur bankat kanë përfaqësi këtu dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt dhe përdorimi të bëhet këtu. Të gjithë njerëzit që nuk kanë llogari bankare kjo do t’i mundësojë ta hapin një pa pagesë”, u shpreh ministri.

Rashiq, gjithashtu theksoi se nga guvernatori Ismaili ka marrë sqarime për të gjitha sa i përket anës teknike dhe implementimit të Rregullores së BQK-së për çështjen e dinarit.

“E falënderoj Kurtin për mirëkuptimin dhe gjetjen e mënyrës për implementimin dhe zgjidhjen sa i përket përdorimit të dinarit. Derisa kisha bisedë me Ismailin, kjo është rregullorja evropiane sa i përket përdorimit të parave, i cili thirret pagesa unike regjionale evropiane. Kjo është në përputhje të plotë me mënyrën dhe rregulloren evropiane për zbatimin e pagesave. Nga ana juridike kjo është mënyra e duhur se si duhet të vazhdojmë, nuk dua të hyjë në të kaluarën pse ka ardhur deri të kjo por më duhet prapë të ndërlidhem, ne e kemi ditur që banka komerciale që e ka pasur licencë do të mbyllet, në shtator të vitit e kaluar kemi marrë informata se do të mbyllet, askush nga administrata e tyre nuk e kanë parë të udhëz që të marrin licencën për punë”, u shpreh ai.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj./InLajmi/