Afër 8.000 persona të zhvendosur janë evakuuar nga spitali kryesor i rrethuar në qytetin Han Junis në jug të Gazës, ku ata ishin strehuar, tha Kryqi i Kuq më 6 shkurt.
“Situata humanitare në Rripin e Gazës është përtej katastrofës”, tha Tommaso Della Longa, zëdhënës i Federatave Ndërkombëtare të Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Ai tha për gazetarët në Gjenevë se Kryqit të Kuq i është thënë se spitali Al-Amal, që udhëhiqet nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, gjerësisht është zbrazur pas rrethimit të gjatë nga forcat izraelite.
“8.000 persona të zhvendosur brenda vendit, që ishin strehuar te spitali ynë i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Han Junis… u larguan dje nga spitali”, shpjegoi ai.
Ai tha se spitali Al-Amal ka qenë nën rrethim për më shumë se 2 javë dhe përreth tij ka pasur luftime dhe granatime të ashpra. Spitali është goditur disa herë nga sulmet, përfshirë të premten e javës së kaluar, kur u vra një anëtar i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Afër 100 të moshuar, plagosur dhe pacientë të palëvizshëm janë ende brenda spitalit, ku gjenden edhe afër 100 pjesëtarë të stafit dhe vullnetarë, tha Kryqi i Kuq.
Edhe para evakuimit, spitali Al-Amal ishte përballur me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e madhe të ilaçeve, ushqimit dhe ujit, tha Della Longa.
Izraeli po vazhdon ofensivën e tij në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Lufta u nxit më 7 tetor pasi Hamasi grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi tha se situata në spitalin Nasser, që gjendet afër atij Al-Amal, është po ashtu alarmuese.
Spitalet që sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare janë të mbrojtura janë goditur vazhdimisht gjatë luftës në Gazë. Ushtria izraelite e ka akuzuar Hamasin se përdor ndërtesat shëndetësore si qendra komanduese, akuza që janë mohuar nga grupi radikal palestinez, shkruan REL.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi ka raportuar për mbi 27.000 të vrarë në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, që kur ka nisur lufta në fillim të tetorit të vitit 2023.