Forcat amerikane kanë kryer sulme ajrore kundër 5 raketave në Jemen të dielën, tha ushtria amerikane duke bërë të ditur se një prej raketave ishte e projektuar për sulm tokësor ndërkaq të tjerat për të shënjestruar anijet në Detin e Kuq.
Sulmet erdhën një ditë pasi forcat e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe kryen sulme të reja ajrore kundër objektivave iraniane duke i goditur 36 caqe të grupit rebel, Huthi, në Jemen, si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të rebelëve ndaj anijeve.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha në rrjetet sociale se forcat amerikane kryen një “sulm në vetëmbrojtje kundër një rakete lundruese” që ishte projektuar për sulm tokësor dhe më vonë goditën “4 raketa lundruese të cilat ishin të përgatitura për t’u lëshuar kundër anijeve në Detin e Kuq”.
Forcat amerikane “identifikuan raketat në zonat e kontrolluara nga Huthët e Jemenit dhe përcaktuan se ato paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare në rajon”, shtoi CENTCOM.
Huthët filluan të shënjestrojnë anijet në Detit të Kuq në nëntor të vitit të kaluar, duke thënë se ata po goditnin anijet e lidhura me Izraelin dhe sipas tyre këtë po e bëjnë në mbështetje të palestinezëve në Gazë.
Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka filluar më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit.
Më 28 janar, një dron u përplas në një bazë në Jordani, duke vrarë tre ushtarë amerikanë dhe duke plagosur më shumë se 40, një sulm për të cilin Uashingtoni fajësoi forcat e mbështetura nga Irani.
SHBA-ja u përgjigj të premten me sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak.
Për këtë sulm, Uashingtoni e fajësoi Iranin dhe aleatët e tij që veprojnë në Siri dhe Irak.
Sipas njoftimit, 13 lokacione të ndryshme në Jemen u goditën nga avionët luftarakë amerikanë F/A-18 dhe nga luftanijet amerikane në Detin e Kuq.
Zyrtarët amerikanë thanë më 3 janar se besojnë se sulmet ajrore ndaj dhjetëra zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak të premten ishin të suksesshme dhe paralajmëruan sulme të tjera shtesë, shkruan REL.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara i mbështetën veprimet e Uashingtonit, ndërsa Irani, Iraku dhe Siria shprehën zemërim në një kohë shqetësimesh për përhapjen e konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme.