Nën vazhdën e aktiviteteve të sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë zytare pas hapjes së korridoreve ajrore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, që zvogëlojnë kohën e udhëtimit për 8-12 minuta.
Nga kryeministri Kurti ky zhvillim u cilësua hap progresi, efikasiteti dhe përgjegjësie ndaj mjedisi, derisa në veçanti falënderoi të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që luajtën një rol kyç në lehtësimin e hapjes së këtyre korridoreve ajrore.
“Duke shkurtuar trajektoren e fluturimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulët për 8 – 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dioksidit të karbonit”, u deklarua ai. Kjo është në përputhje me angazhimin tonë për qëndrueshmërinë mjedisore dhe me luftën globale kundër ndryshimeve klimatike.
Me korridoret e reja ajrore, krahas përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, përfitues janë edhe mërgata jonë me rritjen e mundësive për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
Në këtë drejtim, kryeministri përmendi investimin thelbësor të Qeverisë së Republikës së Kosovës me 34 milionë euro, projektin zgjatja e pistës që përfshin ngritjen e sistemit instrumental të aterimit dhe sistemeve të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Nga ky investim fluturimet për Prishtinë mund të aterojnë edhe në kushtet të cilat janë me dukshmëri më të ulët, dhe duke qenë që Aeroporti i Prishtinës shërben edhe si aeroport alternativ për aeroportet e rajonit në rastet kur ato e kanë të pamundur që të operojnë në kushtet e dukshmërisë së zvogëluar, rrjedhimisht kjo ndikon edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve tek ne.
Ai gjithashtu falënderoi të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që luajtën një rol kyç në lehtësimin e hapjes së këtyre korridoreve ajrore, duke shtuar se ky bashkëpunim na ka sjellë më afër normalizimit të plotë të hapësirës së poshtme ajrore të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se po e mbajmë këtë aktivitete që shënon hapjen e një koridori të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë e cili ka ndikime të shumëfishta pozitive sa për qytetarët të cilëve ua kursen kohën dhe buxhetin, ashtu edhe për mjedisin që e ndajmë të gjithë.
Në ambientet e AShNA-së, në këtë ceremoni përveç kryeministrit Kurti dhe ministrit Aliu të pranishëm ishin edhe ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, ambasadori i Austrisë, George Schnetzer, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të
Aviacionit Ajror, Samir Bllacaku, zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi dhe zëvendësambasadorë të shteteve partnere ndërkombëtare.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari, z. Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
Shkëlqesia juaj, z. Jörn Rohde, Ambasador i Gjermanisë,
Shkëlqesia juaj, z. Petrit Malaj, Ambasador i Shqipërisë,
Shkëlqesia juaj, z. George Schnetzer, Ambasador i Austrisë
I nderuar z. Samir Bllacaku, Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Aviacionit Ajror,
I nderuar z. Hysen Durmishi, Zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
Zëvendësambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe të Zvicrës, znj. Grunder, z. Conrad, z.Fuchs,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror për të shënuar një moment historik, hapjen e korridoreve ajrore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Ngjarje kjo e rëndësishme, e cila padyshim që do të formësojë të ardhmen e udhëtimeve ajrore në rajonin tonë.
Inaugurimi i këtyre korridoreve ajrore është më shumë se sa një gjest simbolik. Është një hap progresi, efikasiteti dhe përgjegjësie ndaj mjedisit. Duke shkurtuar trajektoren e fluturimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulët për 8 – 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dioksidit të karbonit. Ky hap proaktiv përputhet me angazhimin tonë për qëndrueshmërinë mjedisore dhe me luftën globale kundër ndryshimeve klimatike. Teksa ecim përpara, ne vazhdojmë të angazhohemi për zgjidhje inovative të cilat promovojnë praktika miqësore me mjedisin, në të gjitha aspektet e shoqërisë sonë dhe të zhvillimit tonë.
Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimit sjellë benefite edhe për mërgatën tonë. Rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave si dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
Dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që luajtën një rol kyç në lehtësimin e hapjes së këtyre korridoreve ajrore. Ky bashkëpunim na ka sjellë më afër normalizimit të plotë të hapësirës së poshtme ajrore të Republikës së Kosovës.
Kjo arritje është edhe një dëshmi e fuqisë së angazhimit të përbashkët për përparim. Në këtë drejtim ne kemi bërë investime thelbësore në modernizimin e infrastrukturës së ofruesit tonë të shërbimeve të navigimit ajror.
Në projektin zgjatja e pistës, ngritja e sistemit instrumental të aterimit dhe sistemeve të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar rreth 34 milionë euro.Me këtë investim fluturimet për Prishtinë aterojnë edhe në kushtet të cilat janë me dukshmëri më të ulët, njëkohësisht Aeroporti i Prishtinës shërben edhe si aeroport alternativ për aeroportet e rajonit, në rastet kur ato e kanë të pamundur që të operojnë në kushtet e dukshmërisë së zvogëluar e që rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve tek ne.
Ndërsa, shënojmë këtë arritje ritheksoj përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të punuar krah për krah me AShNA-n, drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës.
Ne e njohim rëndësinë e këtij qëllimi dhe e kuptojmë përpjekjet dhe bashkëpunimin e nevojshëm për ta arritur atë.
Së bashku mund të sigurojmë një hapësirë ajrore më të sigurt, më efikase dhe më miqësore për mjedisin.
Jemi krenar me progresin e arritur, me partneritetet që i kemi ndërtuar dhe me ndikimin pozitiv që ky zhvillim do ta ketë te qytetarët tanë. E përkushtimi ynë kolektiv vazhdon për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë në Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit gjithsecilit për kontributin dhe urime kjo e arritur për shtetin tonë dhe për popullsinë tonë dhe për bashkëpunimin tonë.
Faleminderit! /InLajmi/