Deputeti i Parlamentit Evropian dhe raportuesi i Bashkimit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, deklaroi se nuk parashikon ndonjë hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi, transmeton InLajmi.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Vladimir Bilçik tha se i takon institucioneve të Serbisë që të eliminojnë parregullsitë e mundshme që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit.
“Serbia është një demokraci përfaqësuese që organizoi zgjedhjet e veta në të cilat mori pjesë shumica në pushtet dhe opozita. Është e rëndësishme të dëgjohen vëzhguesit e angazhuar në misionin afatgjatë vëzhgues të OSBE-së dhe të merren seriozisht konkluzionet e tyre dhe jam i sigurt se institucionet ndërkombëtare mund të punojnë së bashku me ato vendore në Serbi”, tha Bilçik.
Ai theksoi se inkurajon autoritetet në Serbi që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet ndërkombëtare nëse paraqitet nevoja dhe kërkohet angazhimi i tyre duke shtuar se nëse ka korrigjime, kjo varet nga institucionet e Serbisë.
“Ka çështje që i kemi vënë në dukje në raportin tim në Parlamentin Evropian vite më parë. Bëhet fjalë për rekomandime që kanë të bëjnë me integritetin e fushatës zgjedhore dhe rregullat që kanë të bëjnë me periudhën parazgjedhore, të cilat duhet të merren seriozisht, në mënyrë që gjatë zgjedhjeve të ardhshme të mos ketë më çështje të tilla thelbësore”, saktësoi Bilçik.
Duke folur për faktin se deklaratat e tij janë interpretuar nga një pjesë e opinionit serb se votimi ka ndodhur pa parregullsi të mëdha, Bilçik ka thënë se kjo ka qenë rezultat i “marrjes së disa fjalëve jashtë kontekstit”.
Bilçik tha se për të mirën e të gjitha palëve është e rëndësishme të monitorohen të gjitha mangësitë dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve, duke shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Serbisë të fillojë punën.
“Kohët janë shumë të vështira në të gjithë Evropën, por ato janë gjithashtu kohë të mundësive të mëdha, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ne presim që formimi i institucioneve të bëhet në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve dhe mendoj se është e rëndësishme që rezultatet e zgjedhjeve të pranohen plotësisht nga të gjitha partitë”, tha Bilçik.
Duke komentuar pretendimet e autoriteteve në Serbi për ndërhyrjen e një shteti perëndimor të paidentifikuar në zgjedhjet në Serbi, Bilçik tha se askush nga Bashkimi Evropian nuk ka ndërhyrë dhe nëse ka raporte të tilla, ato duhet të konsiderohen shumë seriozisht. /InLajmi/