Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, ka kërkuar më shumë progres në dialogun Kosovë-Serbi, para se Bashkimi Evropian të shkojë në zgjedhje, raporton InLajmi.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Cramon, uroi qytetarët e Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave.
“Uroj që më në fund Kosova mori liberalizimin e vizave, të gjithë kemi luftuar shumë për këtë. Të gjithë kemi pasur përshtypjen se ka qenë situatë diskriminuese, ku të gjitha shtetet e rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës, për këtë uroj të gjithë”, tha ajo.
“Lufta kundër korrupsionit është duke vazhduar. Kam kërkuar të rritet buxheti ndaj transmetuesit publik. Po ashtu edhe në dialogun mes qeverisë dhe organizatave civile ka shumë ankesa”, deklaroi Cramon
Sa i përket dialogut me Serbinë, ajo tha “Gjërat janë shumë dinamik, kemi parë pak progres”.
“Unë si shoqe e mirë e Kosovës, dëshiroj të shoh progres para se të shkojmë në kampanjat në zgjedhje. Pasi Brukseli do të mbyllet dhe do të merren me zgjedhje”, u shpreh ajo. /InLajmi/