Në fjalimin e tij në ballkonin e shtëpisë ku ndodhet në arrest shtëpie, Sali Berisha nuk i ka kursyer edhe akuzat për Lulzim Bashën, ndonëse nuk e përmendi në asnjë moment me emër dhe mbiemër.
Berisha tha se “ka ikur koha e betejave të tradhtuara dhe e opozitës së kontrolluar”, referuar këtu opozitës së bërë nga Lulzim Basha, dikur një aleat shumë i ngushtë, e ndërsa sot kundërshtarë të ashpër përkundrejt njëri-tjetrit.
E sipas tij, kjo është arsyeja se përse Edi Rama është “xhindosur” dhe se qëllimi i tij është pipërisht për t’i dhënë ndëshkimin e merituar kryeministrit, raporton A2cnn.
“Populli opozitar qëndroi gjatë këtyre viteve, por ai nuk u mbështet. Një betejë të pashembullt në Europë bënë artistët në mbrojtje të Teatrit. Një betejë qytetare të pashembullt bënë banorët e Astirit për të drejtat e tyre. Një betejë të fuqishme që tronditi themelet e narkokracisë bënë studentët. Por këto beteja nuk realizuan qëllimet e tyre të mëdha, kauzën e tyre të drejtë, ato i vrau indiferenca e pafalshme, por edhe tradhtia e tyre. Kjo këtu është beteja pa kthim, është beteja e fitore, është beteja e cila do ti japë Edi Ramës ndëshkrimin e merituar në emër të të gjithë beteja të tjera.